Maqedoni, çdo i shtati i paraqitur për keqpërdorim të detyrës zyrtare është dënuar

Maqedoni, çdo i shtati i paraqitur për keqpërdorim të detyrës zyrtare është dënuar

- in LAJME
1426

45Keqpërdorimi i kompetencave dhe detyrës zyrtare dominon si vepër penale në kriminalitetin ekonomik, thotë Muzam Halili, doktorant në Fakultetin e Sigurisë në Universitetin e Manastirit. Në tezën e tij doktorale “Aspektet kriminologjike dhe kriminalistike të keqpërdorimit të kompetencave dhe detyrës zyrtare në Maqedoni”, ai, duke e studiuar këtë lloj kriminaliteti, vërejti se është i madh numri i padive, në raport me numrin e vogël të dënimeve gjyqësore, njofton REL.
“Një numër i madh i veprave penale me elemente të keqpërdorimit të kompetencave dhe detyrave zyrtare mbeten të pazbuluara. Gjithashtu, sipas numrit të padive, numri i të dënuarve në fund del shumë i vogël. Nëse vërehen të dhënat statistikore, epilogjet gjyqësore vërtet janë modeste, që në një mënyrë vërtetojnë vërejtjet e Komisionit evropian, që gjyqësorin e prezanton si problematik”, deklaron Halili.

Në doktoraturën e tij ai ka shfrytëzuar të dhënat e Entit statistikor, MPB-së dhe Policisë financiare. Sipas raporteve vjetore të Entit statistikor, nga viti 2002 gjer në vitin 2008 janë akuzuar 9.588 kryerës të cilët i kanë keqpërdorur kompetencat dhe detyrat zyrtare, ndërkaq janë dënuar 1.401 persona.

“Kam ardhur në përfundim se, për t’u ndriçuar këto vepra ashtu si duhet, para së gjithash, duhet të mblidhet një numër solid i dëshmive, sepse nga hetimi që kam bërë në gjyqësor dhe organet tjera gjyqësore, përgjigjen se duhej patjetër t’i anashkalojnë paditë për shkak të dëshmive të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme”, thotë doktoranti.

Sipas padive të MPB-së, nga viti 2002 gjer në vitin 2008 keqpërdorimet janë bërë me falsifikimin e dokumentacionit, lidhjen e marrëveshjeve të dëmshme, marrjen e vendimeve ligjore, keqpërdorimin e mjeteve financiare, realizimin e tenderimeve fiktive etj. Më së shpeshti janë paditur drejtorët dhe drejtuesit.

“Si kryerës të kësaj vepre, më së shpeshti paraqiten personat të cilët janë në pozita udhëheqëse dhe të cilët nuk dëshirojnë ta lëshojnë rastin që ua ofron funksioni dhe kompetencat, të prirë prej asaj se kompetencat nuk janë të përjetshme dhe se tani është momenti të shfrytëzohen. Ka pasur keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit dhe dëme më të vogla, por gjithnjë fjala është për keqpërdorime të detyrës zyrtare”, thotë Halili.

Sipas analizës së qyteteve të brendisë, nga viti 2002 deri në vitin 2008 në Manastir ka pasur numër më të madh të zbulimeve të veprave penale nga sfera e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, madje 929 me 1.215 kryerës të veprave.

Facebook Comments